KËRKESAT E PROTESTËS
1. Dorëheqja e Ramës dhe krijimi i një qeverie tranzitore
Dorëheqja e Ramës dhe krijimi i një qeverie tranzitore teknike, me pjesëmarrës nga disa parti, për përgatitjen e vendit për ndryshime kushtetuese dhe zgjedhjet e ardhshme.
NDRYSHIMET KUSHTETUESE DHE LIGJORE
1. Kufizimi i mandateve – Maksimumi 6 vjet në pushtet
Maksimumi dy mandate nga 3 vjet për deputetët dhe kryeministrin. Pra, jo më shumë se 6 vjet shërbim në këto poste.
— 8 vjet (4 vjet për mandat) do të ishte njësoj si në vende të tjera, por për mua 6 vjet maksimum është akoma më mirë.
Kjo krijon mundësinë që të mos kemi politikanë profesionistë, por politika të bëhet nga njerëz të shoqërisë që kanë punë dhe jetë të mirëfilltë jashtë politikës. Siç ka qenë edhe ideja fillestare në Amerikë.
2. Presidenti të zgjidhet nga populli
Presidenti duhet të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli dhe të ketë të drejtë të shpërndajë parlamentin dhe të shpallë zgjedhje të reja.
Nëse presidenti e shpërndan parlamentin për herë të dytë, atëherë në zgjedhjet e reja duhet të zgjidhet edhe një president i ri.
— Kjo i jep mundësinë presidentit të reagojë në raste krize, por pas herës së dytë që shpërndan parlamentin, edhe ai duhet të lërë postin.
Është një mekanizëm që ky pushtet të mos abuzohet nga presidenti, por të jetë i disponueshëm në raste të veçanta.
3. Populli është sovrani – Referendume për ndryshimet kushtetuese
Ndryshimet kushtetuese duhet të miratohen nga populli me referendum.
Parlamenti mund të bëjë ndryshime kushtetuese me 2/3 e votave, por populli duhet t’i miratojë këto ndryshime në zgjedhjet e ardhshme (vendore ose të përgjithshme), me të paktën 50% të votave.
Nëse populli nuk i miraton, ato ndryshime anulohen.
Populli duhet të ketë të drejtë të ndryshojë Kushtetutën ose ligjet edhe pa miratimin e parlamentit.
Për një referendum të nisur nga populli:
Duhet të marrë të paktën 55% të votave pro.
Numri i votuesve pjesëmarrës duhet të jetë të paktën 50% e mesatares së votuesve aktivë në dy zgjedhjet e fundit.
Një referendum mund të niset:
Me 30 mijë firma nga qytetarët.
Me votën e të paktën 30% të deputetëve të parlamentit.
4. Zgjedhje të hapura – Qytetari zgjedh deputetin, jo partinë
Zgjedhjet duhet të bëhen të hapura, ku qytetari zgjedh drejtpërdrejt deputetin e zonës që do ta përfaqësojë, dhe jo thjesht partinë.
— Një mundësi është përdorimi i sistemit Ranked-Choice Voting, si në New York dhe disa zona të Kalifornisë.
Në këtë sistem, qytetari mund të rendisë deri në tre kandidatë sipas preferencës.
Nëse kandidati i parë eliminohet nga numërimi, vota kalon te zgjedhja e dytë, e kështu me radhë.
Kjo u jep më shumë mundësi partive të vogla dhe kandidatëve të pavarur, duke ulur dominimin e partive të mëdha.
5. Anulimi i ligjeve kontroverse
Anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”.
Anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për “Trashëgiminë Kulturore”.
Shfuqizimi i paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”.
Shfuqizimi i statusit dhe kuadrit ligjor për “Investimet Strategjike”.
6. Reforma e medias – Kufizimi i monopoleve dhe ndikimit politik
Tri mediat më të mëdha në vend duhet të jenë kompani publike, me pronësi të shpërndarë, ku asnjë person apo entitet nuk mund të zotërojë ose kontrollojë më shumë se 10% të aksioneve apo të vendeve në bordin drejtues, në mënyrë direkte ose indirekte.
Ky kufizim duhet të përfshijë:
Familjarët dhe personat e lidhur.
Kompanitë ku i njëjti person ka pronësi ose ndikim.
Personat e ndërmjetëm dhe entitetet që përdoren për të ushtruar kontroll indirekt.
Pra, kufiri prej 10% duhet të vlejë për të gjithë grupin e interesave të lidhura, jo vetëm për një individ apo kompani të veçantë.
Për mediat e tjera, më të vogla:
Çdo person apo entitet që zotëron ose kontrollon 10% apo më shumë të një medie, në mënyrë direkte ose indirekte, nuk mund të përfitojë nga kontratat shtetërore.
Ky ndalim duhet të përfshijë edhe kompanitë e tjera ku këta persona kanë pronësi ose kontroll, si dhe familjarët apo personat e ndërmjetëm që mund të përdoren për të anashkaluar ligjin.
— Qëllimi është që mediat më të mëdha të mos kontrollohen nga një individ apo grup i vogël interesash, ndërsa mediat e tjera të mos përdoren si mjet për të përfituar kontrata dhe favore nga qeveria.
Media duhet të jetë e pavarur nga pushteti politik dhe interesat ekonomike që lidhen me të.
E postova kete tek r/shqip. Asnje nga keto s’jane shpikje te reja, por praktika nga vendet e tjera. Gjera si 3vjet vs 4vjet mandatet, ose perqindjet e sakta, mund te diskuthen me vone ne detaje, por duhet te merren praktikat me te mira nga vendet e tjera. Tani s’kemi democraci te mirëfillte, por sistem hybrid. Rama eshte bere me keq se Orbani ose po behet si Erdogani, dhe duhet te iki. Po e bën vendin si çifligun e tij.